Text Size

NTV |Intervista e rektorit të Akademisë së Filmit dhe Multimedias, “Marubi”, në NTV|23/02/2009|

Do ta fillojmë bisedën me ju, zoti Çashku, në lidhje me atë që po
ndodh aktualisht në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias
“Marubi”. Kanë tentuar t’ju largojnë nga këto ambiente. Cilat janë
shkaqet?

Mendoj se pa një kontekst disi më të gjerë do të ishte shumë e
vështirë t’ju sqaroja. Së pari, dua t’i bëj të qartë opinionit publik
që, në Kinostudio, si kineast dhe regjisor kam kaluar 35 vjet të jetës
sime dhe prej pesë vjetësh kam hapur shkollën e parë të filmit. Kjo
gjë për të përligjur historinë institucionale të kinematografisë duke
afruar shkollën e parë të filmit pranë Arkivit, ku është e gjithë
vepra e kineastëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, gjeneratat e reja do të
kenë një referencë mjaft të rëndësishme për atë ç’ka ndodhur në
kulturën kinematografike, njëherazi në rastin e botës së imazhit
përmes arkivit, ashtu edhe mbi korpusin qendror që përbën një opus
pothuaj të plotë. Nga ana tjetër, në idetë e mia ka qenë gjithmonë që
Kinostudioja të shndërrohet në një qytet arti me perceptimin e
politikave policentriste që kam unë për zhvillimin e metropolit të
Tiranës. Dhe në këtë qytet arti, asokohe, në kokën time shtëpitë e
filmit që po krijoheshin, në bazë të ligjit të kinematografisë, mund
të merrnin në përdorim asetet e kinematografisë, pasi në fund të
fundit këto shtëpi filmi do të kishin të lidhura në mënyrë të
drejtpërdrejtë jetën me prodhimin kinematografik. Me asete kuptoja
59000 m2 që përbënin ish-kinostudion dhe për një pasuri të
jashtëzakonshme që ka të bëjë jo me industrinë që kishte falimentuar
dhe nuk mund të mendohej të rigjenerohej, as me tullat e saj, por me
një pasuri, e cila ishte e lidhur me disa objekte që mbartin vlera
historike dhe pse nuk mund të kryenin funksionet reale të prodhimit
kinematografik. Dhe me këtë dua të them se si i qëndroja idesë se
shqiptarët duhet të kuptojnë se historia e një vendi bëhet gur-gur,
pak nga pak, gjë që na trashëgon kështjellat e të parëve tanë, apo jo?
Kemi një kohë mesjetare zero që nuk rezulton askurrkund, siç është
Mesjeta, me Perandorinë Otomane. Të paktën pas kësaj periudhe, në
epokat dhe kohët që brezi para nesh dhe yni jetuam, po krijonim edhe
ne disa gurë të rëndësishëm që do të shërbenin për këtë pasuri
kulturore, e cila ishte e rëndësishme për vendin tonë, për t’i dhënë
identitetin që ne ia pretendojmë shoqërisë dhe vetes sonë. Kjo nuk ka
gjetur përligjje. Nuk gjeti përligjje dhe sot jemi në një situatë
krejtësisht tjetër, e cila në njëfarë kuptimi është tragjike. Pse
është tragjike? Jo për çka ndodhi sivjet apo në vitin 2008. Është
tragjike për çfarë nuk ndodhi për 17 vjet rresht. Për 17 vjet rresht
Kinostudio u robërua, u vodh, u shkatërrua, u shit për hekur në
Kombinatin Metalurgjik, u mbush me lavazhe, garazhe, makina funerale.
Interesit publik iu mohua prej 17 vjetësh e drejta e rivitalizimit, e
rigjenerimit të gjithë kësaj pasurie që ekzistonte atje, çka do të
thotë që lihej të rrënohej, me qëllimin që më vonë të ngriheshin
blloqe pallatesh. U la të rrënohej, sepse u hodh ideja që të bëhej
qytet biznesi. Dhe duke ndjerë gjithë këto kërcënime, atëherë unë
pyeta veten se ç’më mbetej të bëja: të shpëtoj ç’mund të shpëtoj dhe
pata idenë, duke braktisur kështu idenë e qytetit të artit, të ngrija
shkollën e parë të filmit në Shqipëri, gjë që nuk e kemi pasur në rang
universitar asnjëherë në historinë e vendit tonë, pra në historinë
arsimore kulturore të vendit tonë. Dhe të them të vërtetën, hasa një
rezistencë shumë të madhe, sepse natyrisht nuk vinte njësh me planet
për qytet-biznesin, nuk vinte njësh me planet për të ngritur blloqe
pallatesh. Por, unë i kthehesha konceptit të kinematografisë me ngulm.
Megjithatë, pas një morie debatesh, që në vitin 2001, zonja Esmeralda
Uruçi, e cila ishte ministre e Kulturës asokohe, njofton zotin Hubert
Vedrine, ministër i Jashtëm francez, se asaj i është paraqitur një
projekt. Ishte fjala për projektin që kisha paraqitur për ngritjen e
një shkolle filmi në Kinostudio. Dhe, pasi i kërkoi përkrahjen dhe
mbështetjen për hapjen e kësaj shkollë, i deklaroi se ne, d.m.th.,
shteti ynë, do të vinte në dispozicion të hapjes së kësaj shkolle
ambientet e Albafilmit. Bëhet fjalë për vitin 2001 dhe këto janë të
faktuara në dokumentet shtetërorë, në rangje ministrash të vendit tonë
dhe të Francës. Kjo gjë dëshmon vullnetin e mirë për të hapur këtë
shkollë dhe për të ofruar mjediset publike për funksionimin e saj. Me
këtë kuptonin, flas në këtë rast, si për zonjën Esmeralda, në të
njëjtën kohë edhe ministrin Vedrine, se shkolla të kësaj natyre nuk
janë shkolla me karakter biznesi, as me karakter përfitimi, por
shkolla, të cilat bëjnë prodhim kinematografik dhe në të njëjtën kohë
lënë dëshmi shumë të mëdha shpirtërore për vendin që i prodhon këto
filma, sepse janë shkolla që prodhojnë filma. Janë shkolla që
prodhojnë filma, struktura jo gjigante si Kinostudio. Akademitë
prodhojnë filma me talente dhe breza të rinj.
Më pas, nuk e kuptova se si hasa në një rezistencë të madhe në kohën e
ministrave që vijuan, znj. Arta Dade, Blendi Klosi. Nuk i kujtoj tani
të gjithë emrat e tyre. Siç duket, atyre nuk iu mbërrinte perceptimi i
plotë mbi rëndësinë dhe interesin publik të një shkolle që unë ende
sot nuk e quaj private, por publike.
Ne duhet të bëjmë njëherë e mirë dallimin mes konceptit të shkollës
publike dhe asaj shtetërore. Ne nuk kemi shkolla publike, por vetëm
shtetërore, sikurse kemi një televizion shtetëror, por jo një
televizion publik. Pra, duhet të shquajmë njëherë e mirë se ç’është
gjëja publike. Gjëja publike mund të ketë një administrim privat, por
ka produkt dhe destin publik. Kjo duhet kuptuar. Ndryshe, nëse ne kemi
perceptime të gabuara, gjejmë zgjidhje të gabuara. Fati i keq që sot e
gjithë ditën, edhe në qeverinë aktuale, kemi të njëjtin perceptim të
gabuar.
Le të shkoj më tej. Më pas, z. Nano, pas kërkesave dhe insistimeve, jo
vetëm nga ana ime, por edhe të një grupi kineastësh dhe në të njëjtën
kohë dhe të partnerëve perëndimorë - dhe, kur them partnerët
perëndimorë, kam parasysh Gjermaninë, Francën, Anglinë, Zvicrën dhe
Shtetet e Bashkuara - që u përfshinë plotësisht në themelimin e
Akademisë, pas një maratone, lejoi të jepeshin 200m2, të premtuar që
në 2001 nga ministria.
Ky ambient për të krijuar shkollën u ofrua pa kushtëzimin “ju
ndërtojeni, por ne do t’ju masim kokën, se do t’ju kërkojmë kaq pará,
pasi ju ta keni ndërtuar shkollën”. Po flasim për vitin 2004. E tillë
siç ekziston sot, ajo shkollë është falë taksapaguesve të këtyre
vendeve perëndimorë pa prekur asnjë cent nga shteti shqiptar.
E kundërta, gjysmë milioni euro të investuara në Albafilm, në mjedisin
ku është ngritur Akademia e filmit dhe në lulishten, e cila ka një
kinoteatër, ku shumë shpejt do të bëhet Festivali Ndërkombëtar i të
Drejtave të Njeriut, faktuan besueshmërinë e këtij projekti. Sot jemi
në vitin 2009, pasi qeveria shqiptare, në këtë rast Ministria e
Arsimit, e renditi mes universiteteve të akredituara, të cilat janë
vetëm katër. Ky akreditim u bë në sipërfaqen ku është investuar gjatë
këtyre viteve ajo pará e taksapaguesve perëndimorë. Ndaj dhe u
konsiderua si model perëndimor dhe nga Agjencia e Akreditimit dhe në
të njëjtën kohë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Jemi pra brenda
një strukture shtetërore, ku ministritë përkatëse nuk koordinohen në
lidhje me përgjegjësitë e tyre.
Për çudi dhe absurd, një ministër Kulture thotë se dhe aktiviteti
kulturor, pra produkti shpirtëror, është biznes. Vajmedet! Në çfarë
bote, sa të prapambetur edhe sa larg jemi për të konceptuar e për të
marrë përgjegjësitë e drejtimit të kulturës shqiptare, rol që tani për
tani e ka z. Pango. Më vjen jashtëzakonisht keq, sepse ai vjen nga
struktura pedagogjike. Me sa duket, jo gjithmonë një njeri i vendosur
për të përcaktuar vizionet e kulturës mund të ketë aftësinë për të
ditur dhe për të kuptuar se ku mund të zhvillohet kultura dhe
identiteti kombëtar afatgjatë i një vendi. Kështu pra, në këtë
drejtim, lufta që bëhet nuk është çështja, nëse do apo jo Pango, nëse
do apo jo Ruli. Problemi shtrohet: A kanë vizione këta njerëz që të
burojnë prej tyre vullnete politike dhe jo thjesht të nxjerrin një
ligj apo një tjetër, sepse, në fund të fundit, një ligj ndryshon në
funksion të një vullneti politik? Në qoftë se ky ligj është pengesë,
ti duhet ta heqësh. Qoftë edhe fakti që ti nuk heq një ligj të tillë,
i sjell pengesë shoqërisë. Kur thosha se për 17 vjet nuk është
shfrytëzuar një hapësirë publike, po ngrija akuzën për dëmin që i ka
sjellë kësaj shoqërie fakti që për 17 vjet nuk u shfrytëzua
Kinostudioja. Nuk u krijuan aktivitete që lidheshin me kinematografinë
apo me atë që unë e quajta ëndrrën time, e cila do mbetet përjetë e
parealizuar, që atje të ndërtohej qyteti i artit. Akuza është: ligji
vrau ëndrrën.
Çfarë do të ishte qyteti i artit? Do të kishim jo teatrin që ndodh
brenda familjeve shqiptare, me drama, tragjedi, por do kishim sallat e
katarsisit për shoqëritë, teatrot, kinematë. Jo me një kinema të vetme
si Milenium, jo me një teatër të vetëm, por me shumë qendra arti në
Kinostudio. Metropoli i Tiranës sonë, duam apo nuk duam, është jeta
jonë, jeta e fëmijëve tanë, ëndrra jonë. Kështu që ajo ç’po ndodh, nuk
është gjë tjetër vetëm një konflikt mentalitetesh të ndryshme,
vizionesh të ndryshme. Madje, mund të them se vlerësimi i pasurisë
kombëtare po bëhet sipas një pikëpamjeje krejtësisht të gabuar. Le të
kuptojmë dhe diçka: për një komb, rëndësinë më të madhe nuk e kanë
asetet e ngurta, tullat, as paraja, por asetet intelektuale. Po të
shfrytëzonim kapacitetet intelektuale të shoqërisë sonë, ekonomia do
të ishte në një stad tjetër, kultura dhe emancipimi shqiptar
gjithashtu. Nuk do të mbetej asgjë në dorë të njerëzve që tek
drejtojnë fatet e shoqërisë nën emrin e politikanëve, e mjerojnë atë
dhe e lënë në një krizë permanente. Kështu që për mua është krejt e
patolerueshme çka ndodh sot: si rektor, si njeri që punoj në
kinematografi, si njeri që ia kam kushtuar jetën kinematografisë së
bashku me pedagogë e kineastë që punojnë në akademinë “Marubi”, bashkë
me studentët tanë, të goditem me shkelma. Një akt i tillë për mua
është barbar dhe jo më kot e kam quajtur akt antiqytetar.

Z. Çashku, do të doja të kisha një përmbledhje në lidhje me
marrëdhëniet kontraktuale me shtetin shqiptar për këtë godinë.

Unë ju kuptova, kur folët për marrëdhëniet kontraktuale. Por, kjo
është gjëja që e quaj më pa vlerë. Ajo që është më e rëndësishme,
është fakti që kam ngritur një akademi, jo një kioskë paketash, lavazh
apo funeral siç janë parkingjet kudo në ambientet e Kinostudios. Kjo
akademi bën pjesë sot në korpusin e akademive më të shquara sot në
botë. Nuk po kuptohet ende që jemi pjesë e Silect dhe që sot 123
rektorë kanë marrë informacionin e plotë të rrahjes së rektorit të
Akademisë së Filmit në Shqipëri, informacionin e plotë të ndërhyrjes
së policisë në korpusin e Akademisë. Të gjithë këta rektorë morën
informacion për ndeshje policie me pedagogë dhe studentë. Mos harroni
se këtë dhunë e kanë ndjekur nga afër 22 pedagogë evropianë dhe
amerikanë që japin kurse në Akademinë tonë. Nëse ju më pyesni sot për
metra apo për të drejta juridike, ju duhet të pyesni për këtë ata që
kanë në dorë të gjejnë zgjidhjet juridike. Duhet kuptuar se ka shtet
ligjor dhe shtet të së drejtës. Shteti i së drejtës është më i
fuqishëm se një shtet ligjor. Ndryshe nuk mund të flasim për krime të
regjimit komunist. Tek isha i përfshirë në lëvizjet studentore, teksa
më thuhej nga drejtuesit e regjimit se po shkelja ligjin, unë u
përgjigjesha se do ta shkelja atë ligj, për sa kohë që ai po mjeronte
shqiptarët. Pra, nëse një ligj bllokon hapjen e akademive, ne duhet ta
shkelim atë ligj. Një ligj që bëhet pengesë për hapjen e shkollave,
qendrave sanitare, ne duhet ta refuzojmë. Ligjet që pengojnë edukimin
e rinisë, zhvillimin e shkollave, teatrove, kinemave, galerive, duhet
t’i shtypim. Sepse vetëm kështu mund t’i nxjerrim njerëzit nga bingot,
pabet, klubet, aferat e parave. Kjo është përgjegjësi politike, kjo
është politikë. Pra, mos më pyesni për gjëra që nuk mund t’u jap
përgjigje. Ajo që mund t’u them e t’u jap, dhe jo vetëm si individ,
është se mund t’u jap jetën time dhe atë të kolegëve të mi, profesorë
dhe regjisorë, t’u kalojmë një dije e një përvojë atyre që vijnë pas
nesh. Mund të bëjmë dhe një gjë tjetër, të sjellim personalitete të
kinemasë nga bota për të dhënë mësim në akademinë “Marubi”. Të ndjejmë
atë çka tha dhe Xhim Belushi, se kishte bredhur gjithë botën, por se
akademia “Marubi” është një akademi e shquar që e bën krenar për
vendin e tij. Ndaj dhe e ndjej veten të fyer, kur, pasi marr çmimin e
presidentit si nder apo ambasador i kombit, më vjen dhe kamxhiku
kundër studentëve e pedagogëve. E mendoni në ç’dilemë vihet një njeri
që ka investuar gjithë jetën e vet në kinema dhe që e thotë gjithnjë
publikisht se nuk pretendon asnjëherë të ketë pronë. Në Kinostudio,
akademia e filmit “Marubi” do të jetë gjithnjë pronë publike. Më lini
sa të kemi frymë unë dhe kolegët e mi ta mbajmë gjallë, dhe pas nesh
të tjerë që do të punojnë për kinemanë. Të mbajmë gjallë atë akademi,
si dhe kinoteatrin që kemi ndërtuar. Ajo që kemi ndërtuar është një
perlë dhe krenari për ne, jo për faktin se i bëra unë, por se e bëmë
së bashku, unë me regjisorë dhe partnerë të huaj të nderuar e
strategjikë për vendin tonë. Pikërisht këta partnerë që ishin aty e
shihnin gjithçka, kur ne dhunoheshim nga policia.

Deklarata per shtyp

Komunikatë për shtyp / Press Release / Communiqué de presse 27.05.2009

(For English and French translations, please scroll down)

Shtëpia filmike Orafilm dhe Akademia e filmit dhe Multimedias Marubi, kanë nderin t’Ju njoftojnë, se regjizori dhe Rektori Kujtim Çashku, është ftuar të marrë pjesë në Grupin e Ekspertëve (think tank) për politika kulturore kinematografike europiane dhe edukimin me filmin, me temë, The Image of Europe, që do të mbahet në Berlin në muajin Maj.
Read more...
 
PRESS CONFERENCE/ February 21, 2009
Read more...
 
Të gjithë, të lumtur, shkatërrojnë... A happy, destructive team... Main dans la main, heureux, ils détruisent...
NOTË INFORMIMI

(For english and french translation, please scroll down)

25 Maj 2009 - Pas një heshtje dhe "qetësie" tre javore, e cila u lejoi pajisjen me një Leje Ndërtimi të bazuar në akte të paligjëshme e të papërgjegjshme të Qeverisë Berisha, Top Channel u rishfaq për të ndërtuar një gardh rrethues në Lulishten e Kampusit Universitar të AFMM. Tashmë niveli i akteve korruptive ka përfshirë dhe Bashkinë e Tiranës. Leja për ndërtimin e rrethimit, është firmosur nga kryetari i Bashkisë dhe shefi i opozitës Edi Rama dhe Drejtoresha e Komisionit Teknik të Bashkisë. AFMM ndodhet tashmë nën sulmin e medias së "pavarur" dhe akteve të paligjëshme të Qeverisë Qëndrore e asaj Vendore. Kjo situatë iracionale dhe totalisht korruptive, përbën një kërcënim dhe një shenjë të mungesës të vlerave etike, morale, intelektuale e politike në Shqipëri.
AFMM është një institucion i pavarur, jashtë influencave të biznes-media-politikës. E vetmja arsye racionale e këtyre akteve është vënja nën kontroll klientelist e këtyre institucioneve të domosdoshëm për shëndetin kulturor të vendit, motivuar vetëm nga cmira personale e profesionale e cila vjen si pasojë e frustrimit dhe aftësive të limituara intelektuale e administruese të personave të përfshirë në këtë sulm sa primitiv dhe të paprecedent.

Read more...
 
Cronology
Read more...
 
Komunikate per sqarimin e opinionit publik

Pasi ndoqëm me mjaft vemendje deklaratat e bëra nga Ministria e Kulturës dhe
nga ajo e Ekonomisë, e shikojmë me vend që të bëjmë këtë deklaratë me qëllim
informimin e opinionit publik por edhe sqarimin e autoriteteve përkatëse.

Read more...
 

Artikuj

Pse të mbështetësh Marubin do të thotë të duash një shtet të së drejtës

Me ç’duket, shteti shqiptar, kur do të pohojë forcën e vet dhe parimin e tij gjenetik – pushtetin e ligjshëm si themel politik – ndërhyn ashpër në imagjinarin kolektiv shqiptar dhe, në mos identifikohet, më së paku rezonon me momentet e trishta historike të Shqipërisë tranzitive.

Read more...

Media Galeri

Violenca ne Akademine Marubi
"Periudha Blu e Pikasos"- me imazhe si antipod i artit te fotografise gjeniale qe na la trashegim Marubi 150 vjet me pare, piketakimi i vetem i artit shqiptar me ate bashkekohor .
"Picasso's Blue Period" - with images as an antipode to the art of the genius photography inherited from Marubi 150 years ago, the only point of contact of Albanian art with contemporary art.

Site Login